#Lajme

Diaspora dërgoi mbi 651 milionë euro në Kosovë për gjashtë muaj

Diaspora kosovare ka dërguar në vend mbi 651 milionë euro gjatë periudhës janar–qershor të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 21.6 milionë eurosh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bëjnë të ditur të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Sipas njohësve të ekonomisë, shtimi i remitancave nuk është tregues i përmirësimit ekonomik, por pasojë e rritjes së inflacionit dhe çmimeve të larta që kanë rënduar gjendjen e familjeve në Kosovë. Ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, tha se këto mjete janë jetike për stabilitetin social e ekonomik, por se fatkeqësisht shpenzohen kryesisht për konsum dhe jo për investime produktive.

Edhe analisti ekonomik Arton Muhaxhiri vlerësoi se rritja e remitancave dëshmon përkeqësimin e gjendjes ekonomike në vend, duke paralajmëruar se trendi pritet të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm për shkak të nevojës së shtuar për mbijetesë.

Nga ana tjetër, eksperti Florin Aliu theksoi se remitancat mbeten një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës, duke mbajtur gjallë kërkesën agregate dhe duke siguruar mirëqenien e shumë familjeve. Ai paralajmëroi se një rënie eventuale e tyre do të sillte pasoja serioze për zhvillimin ekonomik të vendit.

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, diaspora kishte dërguar rreth 633 milionë euro, ndërsa në vitin 2022 shuma kishte qenë mbi 555 milionë euro.