Zgjedhjet lokale 2025: Numër i ulët i grave në garë për kryetare komunash
Në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, partitë politike kanë shpallur listat me kandidatët për kryetarë dhe asamble komunale, mirëpo bie në sy përfaqësimi i ulët i grave në garën për të udhëhequr komunat e vendit.
Lëvizja Vetëvendosje ka përfshirë vetëm një kandidate, Egzona Terdevcin në komunën e Drenasit, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar si kandidate Arianë Hasanin për Zubin Potok.
Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur tri gra kandidate: Arta Vokshi Nallbani për Pejë, Jona Arifi për Kamenicë dhe Flutura Hamza për Mitrovicën e Veriut. Në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës figurojnë Hafize Sallahu në Kaçanik dhe Vildane Latifi në Fushë Kosovë.
Partia Socialdemokrate ka vendosur të garojë me dy kandidate, Besa Shahini në Prishtinë dhe Natyra Kuçi në Deçan, ndërsa Nisma Socialdemokrate ka përzgjedhur Xhevahire Izmakun për komunën e Vushtrrisë.
Në këto zgjedhje, qytetarët e Kosovës do të zgjedhin kryetarët e 38 komunave dhe përfaqësuesit e asambleve komunale, të cilët do të kenë në dorë menaxhimin e qeverisjes lokale dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.











