Shtatë ditë nga zhdukja e Beqir Malokajt në Istog, kërkimet vazhdojnë pa ndërprerë
Kanë kaluar shtatë ditë nga zhdukja e 67-vjeçarit Beqir Malokaj në Istog, ndërsa njësitë e Kërkim-Shpëtimit, pjesëtarë të FSK-së dhe qytetarë të shumtë po vazhdojnë përpjekjet për ta gjetur.
Kërkimet janë të përqendruara kryesisht në zonat malore pranë vendit ku u gjetën një palë syze që dyshohet se i përkisnin të zhdukurit. Nënkryetari i Shoqatës për Kërkim-Shpëtim, Mentor Maloku, tha për Sinjali se policia po analizon edhe pamjet nga kamerat e sigurisë për të verifikuar nëse Malokaj ka dalë nga zona, por deri më tani nuk ka ndonjë informacion të ri.
Në terren është angazhuar edhe kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, i cili ofroi mbështetjen e tij për familjen dhe ekipet kërkuese. Sipas Malokut, operacionet e kërkimit zhvillohen çdo ditë nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orët e vona të natës, shpesh deri në orën 01:00 apo 02:00.
Familja e të zhdukurit është thellësisht e shqetësuar dhe apelon te qytetarët që kushdo që ka informacione të kontaktojë menjëherë Policinë e Kosovës ose në numrin: +383 49 118 844.










