#Lajme

Tahiri: LVV ka propozuar tri herë kandidatë kundër UÇK-së për kryetar Kuvendi

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar ndaj kandidaturave të Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryetarit të Kuvendit, duke i cilësuar ato si kundërshtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një postim në Facebook, Tahiri tha se deri më tani LVV ka propozuar tre kandidatë që sipas tij “mbajnë rekord të zi ndaj UÇK-së”. Ai përmendi Albulena Haxhiun, e cila me grupin parlamentar ka miratuar ligjin për zgjatjen e hetimeve të krimeve të luftës deri më 31 dhjetor 2000, gjë që sipas tij hap mundësinë e ndjekjes penale ndaj veteranëve.

Për Donika Shvarc, Tahiri tha se ajo ka pranuar publikisht se ka bërë hetime dhe ka dorëzuar dosje kundër krerëve të UÇK-së, ndërsa për Hekuran Muratin theksoi se ka përjashtuar nga paga minimale veteranët, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e UÇK-së.

“Po duket se të gjithë e dimë kush do të jetë nesër kandidati i radhës,” përfundoi Tahiri reagimin e tij.