“Tregu i lirë”: Asnjë biznes në veri nuk u shkëput nga rrjeti energjetik – ZRRE jep detaje
Mbi 1 mijë e 400 biznese në disa komuna të Kosovës janë shkëputur nga rrjeti i energjisë elektrike, si pasojë e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që i obligon ato të kalojnë në tregun e lirë të furnizimit me energji.
Megjithatë, ky vendim nuk është zbatuar në katër komunat veriore të vendit, ku furnizimi bëhet nga kompania “Elektrosever”, e cila nuk i nënshtrohet tarifave të rregulluara nga ZRRE-ja. Deri më tani, asnjë biznes në këtë pjesë nuk është shkëputur nga rrjeti.
Ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues ligjorë e cilësojnë këtë situatë si diskriminuese, duke theksuar se Ligji për Energjinë Elektrike zbatohet në gjithë territorin e Kosovës. Sipas tyre, ZRRE duhet të trajtojë këtë çështje, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ajo të përfundojë edhe në Gjykatën Kushtetuese.











