#Lajme

Mbi 6.6 milionë turistë kanë hyrë në Shqipëri deri në korrik

Shqipëria ka regjistruar rreth 6.6 milionë turistë deri në korrik 2025, duke shënuar një rritje prej 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e vizitorëve, mbi 6.2 milionë, kanë ardhur nga vendet evropiane, ndërsa rritje është shënuar edhe nga turistët e SHBA-së, Azisë Lindore, Afrikës dhe Kanadasë.

Turistët vlerësojnë plazhet, natyrën e pastër, ushqimin dhe mikpritjen shqiptare. “Është hera e parë që vij dhe jam shumë e befasuar. Plazhet janë të bukura, ushqimi i shkëlqyer dhe njerëzit miqësorë”, tha Venla nga Finlanda. Ndërsa bashkëkombësit e saj Henli dhe Antti e vlerësuan Shqipërinë për çmimet e arsyeshme, kulturën dhe potencialin e madh turistik.

Sipas operatorëve turistikë, numri i prenotimeve është rritur ndjeshëm dhe sezoni po zgjatet, falë interesimit në rritje nga vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë. “Turistët e vlerësojnë mikpritjen shqiptare, çmimet e arsyeshme dhe bukurinë natyrore”, u shpreh Albulen Ndrepepaj, menaxhere resorti.

Megjithatë, ritmi i zgjerimit ka qenë më i ngadaltë se në vitet e kaluara. Vetëm në muajin korrik, vendin e vizituan 1.8 milionë të huaj, që është një rritje prej 0.4% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.