Milot Rashica pas golit me Besiktasin: Nuk ishte e vështirë të luaja në pozita të ndryshme
Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica, shënoi golin e tij të parë këtë sezon në barazimin 1-1 të Besiktasit ndaj Lausanne në Zvicër.
Pas ndeshjes, Rashica tha se nuk e kishte problem të ndryshonte pozita në fushë gjatë lojës, pasi skuadra kishte kontrollin e topit shumicën e kohës.
“S’ishte e vështirë të luaja në pozita të ndryshme, sepse patëm posedimin dhe shpesh vrapimet i bënim me topin në këmbë”, u shpreh ai.
Sulmuesi nga Vushtrria shtoi se ekipi luajti mirë dhe kishte mundur të fitonte takimin me më shumë efikasitet në sulm.
“Nisëm mirë, patëm raste dhe mund të shënonim edhe një ose dy gola më shumë. Gabimet tona i lanë ata të krijonin raste. Duhet të përmirësohemi në ndërprerje, ku pësuam sërish”, theksoi Rashica.
Besiktasi do ta zhvillojë ndeshjen e kthimit ndaj Lausanne të enjten e ardhshme, ku me fitore do të sigurojë kualifikimin në Conference League.











