#Lajme

Rënie e përfituesve të ndihmës sociale, Mitrovica dhe Vushtrria me numrin më të madh të rasteve

Numri i familjeve që marrin ndihmë sociale në Kosovë ka shënuar rënie të dukshme në korrik të vitit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në korrik 2024 ndihmë sociale kanë përfituar 19,053 familje, ndërsa në korrik 2025 numri ka rënë në 16,566 familje, që paraqet një ulje prej 13.1%.

Komunat me më së shumti përfitues mbeten Mitrovica (1,647 raste), Vushtrria (1,017) dhe Gjakova (935).

Të dhënat e ASK-së tregojnë gjithashtu rënie në disa skema pensionale, përfshirë: pensionet invalidore (-22%), pensionet e Trepçës (-19.8%), pensionet familjare (-9.1%) dhe ndihmën sociale (-13.1%).

Megjithatë, është shënuar rritje në disa skema të tjera, si pensionet për paraplegjikë e tetraplegjikë (+12.1%), përkrahja për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara (+11.7%) dhe pensionet bazike të moshës (+5.8%).

Këto shifra pasqyrojnë ndryshime të theksuara në skemat sociale dhe pensionale në vend gjatë vitit të fundit.