#Lajme

Mbi 13 mijë votues nga diaspora regjistrohen për votim me postë në zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri më tani janë aprovuar 13,360 aplikime të shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit për t’u regjistruar si votues me postë në zgjedhjet lokale të 2025-s.

Nga 16,902 aplikime të pranuara përmes platformës elektronike të KQZ-së, 3,542 janë refuzuar, kryesisht për mungesë dokumentesh që dëshmojnë adresën e banimit jashtë Kosovës. KQZ thekson se aplikuesit e refuzuar mund të riaplikojnë duke plotësuar dokumentacionin brenda afatit.

Periudha e regjistrimit vazhdon deri më 29 gusht 2025, ndërsa vetëm ata që regjistrohen deri në këtë datë do të mund të votojnë me postë nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025.

Regjistrimi mund të bëhet online në platformën e KQZ-së diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës, duke dërguar aplikimin në adresën e institucionit në Kosovë.