#Lajme

Rexhepi: Të gjithë po luajnë, askush nuk merr vendim për zgjedhje

Kuvendi i Kosovës as në seancën e së mërkurës nuk arriti të konstituohet, pasi dështuan dy kandidatët e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit – Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla.

Deputetja boshnjake dhe zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilja Rexhepi, ka reaguar duke thënë se situata po zvarritet dhe askush nuk po tregon gatishmëri për të marrë një vendim që do të çonte në zgjedhje të reja.

“Të gjithë disi po luajnë, por asnjëri prej tyre nuk është i gatshëm të marrë një vendim dhe të shkojmë në zgjedhje. E gjithë kjo është e trishtueshme”, tha ajo.

Rexhepi theksoi se Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar që çdo deputet të marrë pjesë në votim, qoftë duke qenë për, kundër apo abstenues, duke përmendur rastin e deputetes Shqipe Mehmeti-Selimi që nuk mori pjesë në votim dhe të Dudë Baljes që votoi kundër.

Ajo bëri thirrje për përgjegjësi institucionale dhe respektim të Kushtetutës, duke nënvizuar se partia fituese ka të drejtë të propozojë vetë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

“Është qesharake që opozita tenton të japë direktiva se kush duhet të jetë kandidat. VV, si parti fituese, e ka këtë të drejtë”, u shpreh Rexhepi.

Sipas saj, votimi i kandidatit të propozuar nga fituesi i zgjedhjeve është mënyra për të hapur rrugën drejt krijimit të institucioneve të reja, ndërsa në rast se nuk sigurohen 61 vota, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.