#Lajme

Vushtrri: Konflikt për pronë, 49-vjeçari kërcënon me armë dhe arrestohet

Një mosmarrëveshje për pronë në Vushtrri ka përfunduar me kërcënime dhe arrestimin e një 49-vjeçari.

Rasti ka ndodhur rreth orës 14:00 në rrugën “Sheshi Hasan Prishtina”, ku i dyshuari Gzim Ademi ka kanosur një 54-vjeçar, Naser Hysenin, pas një debati lidhur me një tokë të blerë nga kushërinjtë e tij. Fillimisht, Ademi e ka kërcënuar verbalisht, ndërsa më pas ka vendosur dorën në brez duke lënë të kuptohet se mund të përdorte armë. Situata është shmangur falë ndërhyrjes së personave të pranishëm.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Policia ka ushtruar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Gojbulë, ku ka gjetur dhe sekuestruar një armë të tipit TT, një karikator dhe 8 fishekë kalibër 7.62 mm.

I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku pas intervistimit është dërguar në ndalim për 48 orë. Rasti po hetohet për “Kanosje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.