#Lajme

Gjykata i vazhdon edhe dy muaj paraburgimin të dyshuarit për vrasjen e 19-vjeçarit në Vushtrri

Gjykata Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur të vazhdojë paraburgimin ndaj B.D., të dyshuar për vrasjen e një 19-vjeçari në Vushtrri, edhe për dy muaj të tjerë. Masa e re e paraburgimit do të zgjasë nga 23 gusht deri më 23 tetor 2025, ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës, Hateme Haxhaj.

Ngjarja kishte ndodhur më 23 mars 2025, kur i riu u vra me armë zjarri. B.D. ishte arrestuar pak orë pas vrasjes dhe që atëherë ka qenë nën masa paraburgimi. Seanca fillestare ndaj të dyshuarit ishte e mbyllur për publikun, pasi lënda ishte në fazë hetimi.

Paraburgimi i B.D. ishte caktuar fillimisht për një muaj, më pas ishte vazhduar në dy periudha të mëtejshme prej dy muajsh secila, deri në vendimin e fundit për vazhdimin e masës edhe për dy muajt e ardhshëm.