#Lajme

Telekomi i Kosovës rikthen kontratën kolektive të vitit 2019, punonjësit duhet të tërhiqen nga paditë

Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës ka marrë vendim të zbatojë kontratën kolektive të vitit 2019, e cila parasheh pagesa të garantuara si shujtat, pagat jubilare dhe shtesën prej 0,5% për përvojën e punës. Kjo marrëveshje ishte kundërshtuar më herët nga punonjësit përmes rreth 800 padive gjyqësore, duke pamundësuar zbatimin e saj për gjashtë vite.

Dokumentet e brendshme tregojnë se punonjësit duhet të firmosin një formular për të përfituar nga pagesat me këste, ku njëkohësisht obligohen të tërhiqen nga paditë e ngritura më parë. Marrëveshja është e vlefshme për të gjithë punonjësit aktivë, pa dallim nëse kanë apo jo procese gjyqësore të hapura.

Nga Telekomi është bërë e ditur se llogaritjet për shujta, paga jubilare dhe përvojë pune janë bazuar në pagat e muajit maj 2022, kur menaxhmenti aktual mori drejtimin e ndërmarrjes. Pyetur për mundësinë e konfliktit të interesit, menaxhmenti është shprehur se përfitimet janë të strukturuara njësoj për të gjithë dhe janë dakorduar me Sindikatën e Punëtorëve, si dhe miratuar nga Bordi i Drejtorëve.

Megjithëse Telekomi po përballet me krizë financiare dhe llogari të bllokuara, zbatimi i kësaj kontrate do t’i kushtojë rreth 3,5 milionë euro ndërmarrjes. Sipas menaxhmentit, marrëveshja po realizohet në bazë të një realiteti të ri juridik e financiar, ndërsa një vendim i Gjykatës Supreme ka vlerësuar se punonjësit kanë të drejtë të përfitojnë nga shtesat e parapara në kontratë, përfshirë pagesat jubilare dhe shtesën 0,5% për çdo vit pune.