Prattipati i kërkon Kurtit: Serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e tetorit
E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka shprehur shqetësim lidhur me tentimet për të penguar pjesëmarrjen e partive serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ajo tha se ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së serbëve në procesin zgjedhor.
“Besojmë se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Është thelbësore që serbët e Kosovës të marrin pjesë dhe jemi të shqetësuar për çdo përpjekje që kufizon zgjedhjen e tyre. Këto shqetësime ia kam bërë të qarta kryeministrit në detyrë dhe kam nënvizuar vëmendjen e SHBA-së për këtë çështje”, u shpreh Prattipati.
Një ditë më parë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se partitë e tjera politike kanë raporte të mira me Listën Serbe dhe se ato do të ndihmojnë në certifikimin e saj për të marrë pjesë në zgjedhje.











