Miftaraj: VV po luan me nervat e qytetarëve, ka në dorë zgjidhjen e bllokadës së Kuvendit
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se pas dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese gjithçka është e qartë dhe përgjegjësia për përfundimin e bllokadës së Kuvendit është në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Miftaraj theksoi se Vetëvendosje mund të kryejë konstituimin e Kuvendit dhe të hapë rrugë për formimin e qeverisë, por mungesa e transparencës dhe propozimet e fundit të njëanshme lënë përshtypjen se partia ka më shumë interes për bllokadë sesa për procedurat parlamentare.
Ai shtoi se VV-ja ka mundësi të propozojë kandidatë të rinj deri në gjetjen e një kandidati që siguron shumicën parlamentare prej 61 votash, por po vonon procesin, duke luajtur, sipas tij, me nervat e partive opozitare dhe qytetarëve.











