#Lajme

SHBA sanksionon ish-gjyqtarin e Speciales Nicolas Guillou dhe zyrtarë të tjerë të GJNP-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj dy gjyqtarëve dhe dy prokurorëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, përfshirë ish-gjyqtarin e Procedurës Paraprake në Gjykatën Speciale në Hagë, Nicolas Guillou.

Guillou është sanksionuar për lëshimin e urdhërarrestit ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant. Ndërsa Kimberly Prost, Nazhat Shameem Khan dhe Mame Mandiaye Niang janë përfshirë në listën e sanksioneve për veprime të ngjashme dhe mbështetje të hetimeve ndaj personelit amerikan dhe kundër Izraelit.

Sipas Departamentit të Shtetit, të gjitha asetet e këtyre personave në SHBA janë bllokuar dhe duhet të raportohen në Zyrën e Kontrollit të Aseteve të Huaja.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka cilësuar GJNP-në si “kërcënim për sigurinë kombëtare” dhe ka akuzuar gjykatën për përdorim të instrumenteve ligjore kundër SHBA dhe Izraelit. Ky rreth sanksionesh vjen pak më pak se tre muaj pas vendimit të mëparshëm për katër gjyqtarë të tjerë të GJNP-së.