#Lajme

KQZ: Afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës përmes postës përfundon më 29 gusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës, të cilët do të votojnë përmes postës në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe kuvendet komunale, përfundon më 29 gusht.

Që nga 23 korriku deri më 19 gusht, përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org, janë pranuar 9,961 aplikime, prej të cilave janë aprovuar 7,681, ndërsa 2,280 janë refuzuar. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, shumica e refuzimeve kanë ndodhur për mungesë të dëshmisë për adresën jashtë Kosovës.

KQZ po informon individualisht të gjithë aplikuesit e refuzuar dhe u ofron mundësinë për riaplikim me dokumentet e nevojshme. Votimi përmes postës do të nisë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025, duke qenë i vlefshëm vetëm për ata që regjistrohen deri më 29 gusht.