#Lajme

VV plas narrative të re pas dështimeve në Kuvend: Barazime me Listën Serbe dhe sulme ndaj Gjykatës Kushtetuese

Pas dështimeve të njëpasnjëshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka ndërtuar një narrativë të re, duke barazuar partitë e tjera me Listën Serbe.

Koordinatorja e komiteteve të VV-së, Dejona Mihali, në rrjetet sociale kritikoi votimin e fshehtë të PDK, LDK, AAK, SDU dhe Listës Serbe kundër fillimit të konstituimit të Kuvendit. Ajo akuzoi Gjykatën Kushtetuese për mungesë të vlerësimit të situatës dhe për diskreditim të procesit.

Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, paralajmëroi se partitë opozitare do të ndihmonin Listën Serbe në zgjedhjet lokale, ndërsa Agim Bahtiri theksoi se VV-ja qëndron e vetme në parlament, ndërkohë që partitë e tjera bashkë me Listën Serbe formojnë një bllok të kundërt.

Bahtiri tha se aktualisht parlamenti është ndarë në dy blloqe: “VV është vetëm. Opozita së bashku me Listën Serbe janë në njërën anë dhe jemi 57 me 56, dhe do të shohim”, deklaroi ai.