Edon Zhegrova afrohet me Juventusin, zbulohen detajet e kontratës
Futbollisti kosovar, Edon Zhegrova, duket se po afrohet drejt një transferimi në Serinë A, te Juventus. Sipas mediumit italian Tuttosport, 26-vjeçari ka arritur marrëveshje personale me “Zonjën e Vjetër” dhe mund të firmosë një kontratë pesëvjeçare me pagë 2,5 milionë euro në vit.
Megjithatë, ende mbetet të arrihet marrëveshja mes Juventusit dhe klubit aktual të Zhegrovës, Lille, që kërkon 25 milionë euro për kartonin e lojtarit, ndërsa italianët ofrojnë 20 milionë. Anësori kosovar ka vetëm një vit kontratë me francezët dhe dëshiron të largohet për të bërë një hap përpara në karrierë.
Zhegrova ka pasur interesa edhe nga Olympique Marseille, ndërsa Napoli ka tërhequr ofertën e saj. Futbollisti nuk ka luajtur ndeshje zyrtare që nga dhjetori i kaluar për shkak të një lëndimi, por së fundmi është rikthyer në stërvitje me Lille. Juventus synon t’i bashkojë Zhegrovës edhe sulmuesin Jonathan David, me të cilin ka shkëlqyer sezonin e kaluar te klubi francez.











