#Kosova #Lajme

Aksion në Prizren: Zbulohet rrjeti i bixhozit ilegal, ndalohen pesë persona

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të gjerë në Prizren, duke zbuluar aktivitete të paligjshme të bixhozit dhe skemave piramidale. Aksioni u realizua më 19 gusht 2025, rreth orës 20:00, në disa rrugë të qytetit, përfshirë “Haxhi Zeka”, “Rrust Kabashi”, “Dragoman” dhe “Kasëmbeg”.

Kontrollet u asistuan edhe nga NJRSH, inspektorët e ATK-së dhe të tregut, ku u sekuestruan prova të shumta që lidhen me veprimtarinë ilegale. Një lokal është mbyllur dhe vulosur, ndërsa për shkeljet e tjera janë hartuar procesverbale.

Pesë persona janë identifikuar si të dyshuar: L. K. (rreth 60 vjeç), M. K. (33), H. H. (50), A. C. (46) dhe D. B. (34). Me vendim të prokurorit kujdestar, dy prej tyre janë ndaluar, ndërsa tre të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.

Ky rast ka ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve dhe mungesën e kontrolleve të rregullta, pasi aktivitetet ilegale dyshohet se janë zhvilluar për një kohë të gjatë në mes të qytetit.