#Lajme

Prishtina 2030: U mbajt takimi i parë i Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare

Nën udhëheqjen e presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, është zhvilluar takimi i parë i Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Në mbledhje morën pjesë përfaqësues të KOK-ut, përfshirë sekretarin e përgjithshëm Besim Aliti dhe nënkryetarin Milaim Kelmendi, si dhe përfaqësues nga Komuna e Prishtinës me kryetarin Përparim Rama dhe Vllaznim Osmani. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga MKRS, ndër ta Fidan Shatri, ushtrues detyre i drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Sport, dhe Atifete Jakupaj.

Diskutimet u përqendruan në hapat e parë drejt organizimit të kësaj ngjarjeje madhore sportive, përfshirë prezantimin e anëtarëve të komitetit, udhëzimet fillestare nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) dhe detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e qytetit mikpritës.