#Kosova #Lajme

Top Kolshi pranon para gjykatës se nuk kishte qëllim ta vriste Enver Bajraktarin në Lipjan

Top Kolshi, i arrestuar për vrasjen dhe groposjen e Enver Bajraktarit në fshatin Baicë të Lipjanit, ka deklaruar para Gjykatës Themelore në Prishtinë se nuk kishte qëllim ta vriste viktimën dhe se është penduar për veprën e kryer. Ai tha se viktima e kishte sulmuar në pronën e tij dhe se ndihet keq për familjen e të ndjerit.

Avokati i Kolshit, Halim Shala, ka propozuar që ndaj klientit të bëhet ekzaminim psikiatrik për të vërtetuar gjendjen e tij mendore gjatë kohës së kryerjes së veprës. Prokurori Arben Hoti ka thënë se do të merret parasysh kjo kërkesë dhe ka kërkuar dorëzimin e çdo dokumentacioni mjekësor të mëparshëm.

Sipas vendimit të gjykatës, Kolshi dyshohet se më 3 gusht 2025, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake, ka vrarë Bajraktarin, duke e goditur dhe ngufatur, më pas duke e groposur trupin në një gropë në are të mbjellë me misër. Gjykata ka konkluduar se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës dhe arratisjes, duke marrë parasysh peshën e krimit, rrethanat dhe të kaluarën kriminale të të dyshuarit, i cili ka dy gjykime të mëparshme për vepra kundër jetës.

Kolshi dyshohet gjithashtu për mbajtje të paautorizuar të armës, pasi në shtëpinë e tij u gjet një armë Zastava me 50 gëzhoja. Ai është arrestuar më 12 gusht, një ditë pas gjetjes së trupit të viktimës nga Policia.