Policia e Kosovës parandalon dy raste kontrabande me mallra
Policia e Kosovës ka parandaluar dy raste të ndara kontrabande me mallra gjatë operacioneve të zhvilluara më 17 gusht 2025 përgjatë zonave kufitare.
Në rastin e parë, njësia e Taskforcës – Lindje, në bashkëpunim me Doganën, ndaloi një automjet me targa vendore që transportonte mallra të kontrabanduar nga Maqedonia e Veriut drejt Kosovës. Gjatë kontrollit u gjetën tekstil, pajisje elektronike, veshmbathje sportive dhe bizhuteri, me vlerë mbi 2,000 euro. Personi, automjeti dhe mallrat janë shoqëruar në terminalin doganor dhe janë sekuestruar.
Në rastin e dytë, njësitet policore nga DRPK-Lindje SPMK–Muqivërcë ndaluan një automjet në fshatin Lisock-Kamenicë, që tentonte të kontrabandonte 1,500 kg speca nga Serbia drejt Kosovës, pa dokumentacion të nevojshëm. Malli u konfiskua dhe u dorëzua në Doganën e Kosovës, ndërsa ndaj të dyshuarit u inicua rast penal.
Policia e Kosovës thekson përkushtimin e saj në parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit, veçanërisht kontrabandës.














