#Botë

Aeroplan i Condor Airlines përfshihet nga flakët, ulje emergjente në Itali

Një aeroplan i kompanisë Condor Airlines, model Boeing 757-300, që po udhëtonte nga ishulli grek i Korfuzit drejt Dyzeldorfit në Gjermani, është përfshirë nga flakët në motor pak pas ngritjes.

Në bord ndodheshin 263 pasagjerë dhe tetë anëtarë ekuipazhi. Falë reagimit të shpejtë të pilotëve, aeroplani kreu një ulje emergjente në aeroportin e Brindisit në Itali, duke u ndalur në mënyrë të sigurt dhe pa pasoja për udhëtarët.

Sipas njoftimit të linjës ajrore, zjarri është shkaktuar nga një ndërprerje në rrjedhën e ajrit të motorit gjatë fluturimit.

Për shkak të incidentit, një pjesë e pasagjerëve kanë kaluar natën në aeroportin e Brindisit, pasi nuk kishte akomodim të menjëhershëm në hotele.