#Kosova #Lajme

Sot nis Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Në Prishtinë sot fillon edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili do të zgjasë deri më 29 gusht.

Hapja solemne e punimeve do të mbahet të hënën, më 18 gusht 2025, në orën 11:00, në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare. Më pas, seminari do të vazhdojë në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë.

Sipas organizatorëve, në këtë edicion marrin pjesë studiues nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera të botës, të cilët do të prezantojnë dhe diskutojnë arritjet më të fundit shkencore në fushën e albanologjisë.

Në fund të seminarit do të zhvillohet një sesion shkencor me tema bosht si: zhvillimet aktuale në leksikun e shqipes, përdorimi i gjuhës në rrjetet sociale dhe postmodernizmi në letërsinë shqipe.

Programi përfshin gjithashtu kurse intensive të mësimit të shqipes në tri nivele, ligjërata për gjuhësinë dhe letërsinë, si dhe referime shkencore. Përveç kësaj, parashihet edhe një program kulturor plotësues për njohjen e seminaristëve me bukuritë natyrore dhe veprimtaritë kulturore të vendit.

Seminari është themeluar në vitin 1974 në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës dhe deri më tani ka zhvilluar 42 sesione.