#Kosova #Lajme

Fluks rekord nga Kosova drejt Shqipërisë, mbi 61 mijë qytetarë kalojnë kufirin në Morinë vetëm sot

Pikat kufitare të Shqipërisë janë përballur sot me një numër të madh hyrjesh, kryesisht nga Kosova, duke shkaktuar radhë të gjata dhe vonesa të gjata në qarkullim.

Vetëm në pikën kufitare të Morinës, nga mëngjesi deri në mesditë, kanë hyrë mbi 61 mijë qytetarë me rreth 19 mijë automjete. Kolona të gjata automjetesh janë shtrirë deri në territorin e Kosovës.

Fluks i madh është regjistruar edhe në jug të vendit. Në Kakavijë janë përpunuar mbi 11 mijë shtetas dhe rreth 3 mijë automjete, ndërsa në pikat kufitare të Shkodrës, Muriqan dhe Han i Hotit, numri i qytetarëve të përpunuar ka kaluar 32 mijë.

Në Kapshticë janë regjistruar rreth 10 mijë kalime, ndërsa në Qafë Thanë rreth 11 mijë, shumica në drejtim të Shqipërisë.

Autoritetet kufitare njoftuan se po punojnë me kapacitet të plotë për të menaxhuar dyndjen, e cila pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim për shkak të sezonit turistik.