Dy subjekte nuk certifikohen për shkak të emrit, Cakolli akuzon KQZ-në për censurë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar sot grupin e tretë me 39 subjekte politike – 25 iniciativa qytetare dhe 14 kandidatë të pavarur – për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Megjithatë, dy subjekte nuk morën miratimin për certifikim. Iniciativa “Lidhja e Prishtinës” u kundërshtua nga përfaqësuesi i LDK-së në KQZ, me arsyetimin se emri është i ngjashëm me atë të partisë së tij. Ndërkaq, iniciativa “Lëvizja për Bashkimin e Shqipëtarëve” u tërhoq për shkak të një gabimi drejtshkrimor në emërtim.
Ky vendim u kritikua nga Eugen Cakolli i KDI-së, i cili e cilësoi si shkelje të të drejtës kushtetuese për pjesëmarrje në zgjedhje. “Refuzimi i subjekteve vetëm për shkak të emrit është burokraci e shndërruar në censurë. Asnjë parti nuk ka monopolin mbi slogane apo brende, e aq më pak KQZ-ja nuk është lektor gjuhësor”, tha ai.
Sipas Cakollit, rregullat duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë dhe jo sipas interesave të përfaqësuesve partiakë brenda KQZ-së.











