Policia arreston tre persona për trafikim me narkotikë, sekuestrohen kokainë dhe vetura
Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e tre personave të dyshuar për përfshirje në trafikim me narkotikë, në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Prizren.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të dy banesave që lidhen me njërin nga të dyshuarit, H.K., policia ka sekuestruar 4 kilogramë e 440 gramë substancë të dyshuar si kokainë, dy peshore elektronike, 260 euro para të gatshme dhe prova të tjera të rëndësishme për hetim.
Në një aksion të veçantë në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit, u arrestuan edhe dy persona të tjerë, I.H. dhe E.R., ndërsa policia konfiskoi dy automjete – një me targa belge dhe një me targa vendore.
Të tre të dyshuarit po hetohen për veprën penale të “blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Me vendim të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë.











