Trump dhe Putin takohen sonte në Alaskë – Fokusi te Ukraina
Sonte në orën 21:00, sipas kohës lokale në Kosovë, në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson në Alaskë, do të zhvillohet takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit rus Vladimir Putin – i pari që nga viti 2021.
Takimi, i kërkuar nga Rusia, pritet të fokusohet kryesisht në luftën në Ukrainë, e cila vazhdon që nga agresioni rus i nisur në shkurt të vitit 2022. Përveç kësaj çështjeje, në tryezë do të diskutohen edhe tema të tjera me rëndësi për të dyja palët, përfshirë mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve Moskë–Uashington.
Moska shpreson të shmangë sanksione të reja të paralajmëruara nga Trump dhe të sigurojë një konfirmim për kontrollin mbi disa territore të pushtuara të Ukrainës, si dhe hapje të mundshme drejt tregut amerikan e atij botëror. Nga ana tjetër, Trump synon të arrijë një plan armëpushimi, duke e cilësuar këtë takim si përpjekjen e tij më serioze deri tani për t’i dhënë fund konfliktit.
Takimi po ndiqet me vëmendje në Kiev, ku presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte kërkuar një takim trilateral, kërkesë që nuk u pranua. Ai ka përsëritur se nuk do të ketë zgjidhje pa përfshirjen e Ukrainës, duke reaguar ndaj raportimeve se Trump mund të propozojë njohjen e territoreve të pushtuara si pjesë e Rusisë ose një shkëmbim territoresh. Trump ka deklaruar se çdo plan duhet të marrë miratimin e Kievit.
Ky takim pritet të jetë vetëm i pari në një seri të mundshme bisedimesh, ku, sipas Trump, në raundin e ardhshëm do të marrë pjesë edhe Zelensky.











