Mallrat nga SHBA hyjnë pa tarifë doganore në Kosovë – këto janë kriteret
Qeveria e Kosovës ka vendosur të heqë tarifën doganore për mallrat me origjinë preferenciale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke synuar lehtësimin e tregtisë dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Dogana e Kosovës ka sqaruar se vendimi, i cili ka hyrë në fuqi më 1 gusht 2025 pas publikimit në Gazetën Zyrtare, bazohet në Ligjin Nr. 04/L-163 dhe Kodin Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247. Mallrat që plotësojnë kriteret e origjinës preferenciale mund të importohen pa pagesë të tarifës doganore.
Për të përfituar nga ky trajtim, mallrat duhet të shoqërohen me:
Certifikatë të vlefshme të origjinës preferenciale, e lëshuar nga autoritetet amerikane. Deklaratë për origjinën në faturë, në përputhje me ligjin në fuqi të të dy vendeve.
Sipas Doganës, të gjitha mallrat nga SHBA që plotësojnë kriteret, por nuk e kanë përfituar këtë lehtësim në momentin e importit, mund të aplikojnë për rimbursim të detyrimeve doganore.
Operatorët ekonomikë ftohen të kontaktojnë Doganën e Kosovës për udhëzime dhe informacion të detajuar mbi procedurat dhe dokumentacionin e nevojshëm.











