Afati përfundon, KQZ-ja zhvillon mbledhje për certifikimin e 9 subjekteve politike
Të mërkurën në mesnatë ka përfunduar afati për aplikimin e subjekteve politike dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për Zgjedhjet Lokale, ku do të garohet për postin e Kryetarëve të Komunave dhe për Kuvendet Komunale.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se gjatë ditës do të publikohet lista me të gjitha subjektet që kanë aplikuar për certifikim.
Ai shtoi se të enjten, KQZ-ja do të zhvillojë mbledhjen e radhës për certifikimin e grupit të dytë të subjekteve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 12 tetorit, bashkë me listat e kandidatëve të tyre.
Mbledhja, e cila pritet të mbahet në orën 14:00 (e enjte, 14 gusht), do të ketë në rend dite certifikimin e 9 subjekteve politike – 4 iniciativa qytetare dhe 5 kandidatë të pavarur – me gjithsej 66 kandidatë, nga të cilët 4 për Kryetarë Komunash dhe 62 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.











