Policia arreston tre të dyshuar dhe sekuestron armë në Klinë e Prishtinë
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë dhe me mbështetjen e njësive tjera policore, ka realizuar sot (13 gusht 2025) një aksion në tri lokacione në Klinë dhe një në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së gjykatës kompetente.
Si rezultat, janë shoqëruar tre persona të dyshuar për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme armësh dhe municionesh, përfshirë një snajper, një automatik AK-47, disa pistoleta me karikatorë e fishekë, një pushkë gjuetie, pushkë ajrore, municion gazi, thikë, shpatë të arteve marciale, tre telefona mobil dhe një antiplumb. Disa nga armët ishin me leje, por u sekuestruan për verifikim.
Pas konsultimit me prokurorin, një nga të dyshuarit u ndalua për 48 orë, ndërsa dy të tjerët u liruan në procedurë të rregullt.











