Bllokada institucionale paralizon Kuvendin, godet ekonominë
Ngërçi politik në Kosovë po shkakton pasoja të rënda ekonomike, duke bllokuar projekte kapitale dhe fonde të rëndësishme ndërkombëtare.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha për RTV21 se vendi ende nuk ka përfituar asnjë cent nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, ndërsa në Kuvend kanë mbetur të pa ratifikuara marrëveshje me vlerë mbi 900 milionë euro. “Vendet fqinje tashmë kanë marrë këstin e dytë të fondeve, ndërsa ne ende jemi në fazën e parafinancimit”, theksoi ai.
Edhe ish-ministri i Financave, Haki Shatri, paralajmëroi se mungesa e funksionimit të legjislativit ka sjellë ngecje në realizimin e projekteve kapitale. Sipas tij, në gjysmën e parë të vitit janë realizuar vetëm 230 milionë euro nga 900 milionë të planifikuara, ose 26% e buxhetit për investime.
Ekspertët vlerësojnë se kriza po godet drejtpërdrejt qytetarët, të cilët po përballen me rritje çmimesh të produkteve bazë, ndërsa shumë biznese po zhvendosin aktivitetin jashtë vendit.











