Prizren – Arrestohet një person, sekuestruar drogë me vlerë rreth 300 mijë euro
Policia e Kosovës, përmes Njësisë Rajonale për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore, ka realizuar një operacion të suksesshëm, që përfundoi me arrestimin e një personi të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale me substanca narkotike.
Më 11 gusht, në rrugën “Viljam Voker” në Prizren, u arrestua H.K., shtetas i Republikës së Kosovës. Me urdhër të prokurorit kompetent, u kryen kontrolle në dy lokacione, ku u gjetën dhe sekuestruan:
4 kg e 440 gramë kokainë; Dy peshore elektronike; 260 euro para të gatshme; Pajisje për vakumim qesesh plastike; Një motoçikletë “Piaggio Vespa”; Një telefon “iPhone 15 Pro Max”; Një skalper; Sasi e madhe qesesh plastike për paketim.

Sipas vlerësimeve, droga e sekuestruar në tregun ilegal arrin vlerën deri në 300 mijë euro. I dyshuari u shoqërua në polici dhe u intervistua në prani të avokatit, ndërsa me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Hetimet po vazhdojnë nga njësia antidrogë në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prizrenit.










