#Kronika e zezë #Lajme

Policia jep detaje të reja për vrasjen e trefishtë në Gjilan – një i arrestuar, tre në kërkim

Policia e Kosovës ka bërë publike detaje të reja rreth vrasjes së trefishtë që ndodhi më 10 gusht 2025 në Gjilan, ngjarje që tronditi opinionin publik.

Sipas raportit 24-orësh, rreth orës 12:30, njësitë policore reaguan pas informatave për të shtëna me armë zjarri. Në vendngjarje u gjet një viktimë mashkull pa shenja jete, vdekjen e të cilit e konfirmuan mjekët.

Tre persona të tjerë u gjetën të plagosur – dy prej tyre ndërruan jetë në emergjencën e Spitalit të Gjilanit, ndërsa i treti u dërgua në QKUK për trajtim mjekësor. Një tjetër person, i lënduar nga mjete të forta, po trajtohet në Spitalin e Gjilanit.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë e hetuesisë, ekipi mjekësor dhe prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar dërgimin e trupave të viktimave në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Policia ka arrestuar një të dyshuar mashkull kosovar, që është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim. Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të motivit të kësaj ngjarjeje.