IKSHPK apel qytetarëve: Kujdes gjatë vapës së madhe
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, duke paralajmëruar për rrezikun që nxehtësia paraqet për shëndetin, sidomos tek të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
Instituti rekomandon disa masa mbrojtëse, si: të pini ujë rregullisht për të qëndruar të hidratuar, të përdorni syze dielli me mbrojtje UV, të vendosni krem mbrojtës kundër diellit, të vishni rroba të lehta dhe të mbani kapelë, të qëndroni në hije dhe të shmangni ekspozimin në diell nga ora 11:00 deri në 17:00. Gjithashtu, bëhet apel që fëmijët dhe kafshët të mos lihen në automjete të parkuara.
IKSHPK u kërkon qytetarëve të informohen nga burime zyrtare dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse shfaqin probleme shëndetësore të lidhura me temperaturat e larta.











