#Lajme

Takimet e ndërkombëtarëve me Kurtin zhvillohen jashtë institucioneve – analistët: Qeveria nuk ka legjitimitet të plotë

Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë që kanë vizituar Kosovën gjatë muajve të fundit nuk e kanë takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në Zyrën e Kryeministrit, por në ambiente jozyrtare, si darka formale. Sipas analistëve politikë, kjo është një shenjë e distancës politike nga një qeveri pa legjitimitet të plotë.

Kosova gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit ende nuk ka arritur të themelojë institucionet e reja. Ndër vizitorët e fundit kanë qenë përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, dhe zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes, David Baker.

Profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thekson se ndërkombëtarët po shmangin takimet në institucione për të mos dhënë mbështetje indirekte një qeverie që, sipas tij, është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, duke pasur ministra që njëkohësisht janë edhe deputetë. Ai shton se takimet në restorante apo vende neutrale janë një formë për të ruajtur neutralitetin politik.

Edhe ish-diplomati Blerim Canaj ndan të njëjtin qëndrim, duke thënë se takimet zhvillohen më shumë me Kurtin si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje sesa si kryeministër, pasi institucionet aktuale nuk kanë legjitimitet pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila konstatoi se ushtrimi i detyrës së ministrit nga një deputet është në kundërshtim me Kushtetutën.

Këto zhvillime ndodhin në një kohë kur Kuvendi ka dështuar 54 herë të konstituohet. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese detyron zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit përmes votimit të hapur brenda 30 ditëve, me kufizimin që i njëjti kandidat të mund të votohet vetëm tri herë. Deri tani, kandidatja e LVV-së, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme, ndërsa 48 përpjekje për formimin e komisionit për votim të fshehtë janë shpallur jokushtetuese.