#Lajme

KQZ publikon afatet për akreditimin online të vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se po vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave që do të monitorojnë Zgjedhjet Lokale për kryetarë komunash dhe kuvende komunale, të planifikuara për 12 tetor 2025.

Sipas KQZ-së, të drejtë aplikimi kanë subjektet politike të certifikuara, organizatat joqeveritare, institucionet qeveritare e ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara në fushën e zgjedhjeve dhe të drejtave të njeriut, mediat vendore dhe ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të vendeve të huaja.

Afatet e dorëzimit të kërkesave janë si vijon:

17 shtator 2025 – për vëzhguesit e subjekteve politike të certifikuara; 27 shtator 2025 – për vëzhguesit e OJQ-ve vendore, organizatave qeveritare/ndërqeveritare, organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të vendeve të huaja; 7 tetor 2025 – për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare.

Aplikimi bëhet përmes platformës apliko.kqz-ks.org. Pas plotësimit të të dhënave nga përfaqësuesi i autorizuar, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike do të shqyrtojë kërkesën dhe, në rast miratimi, do të dërgojë kredencialet për plotësimin e të dhënave të vëzhguesve apo personelit të medias.

Për më shumë informacione, KQZ mund të kontaktohet në adresën elektronike zyra.kqz@kqz-ks.org ose në numrin e telefonit +383 38 200 81 010 (08:00–16:00). Vetëm vëzhguesit e akredituar nga KQZ do të kenë të drejtë të monitorojnë procesin zgjedhor dhe aktivitetet në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.