Prizren – Aksion i Policisë dhe ATK-së në parkingje, zbulohen shkelje të shumta fiskale
Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe me asistencën e Policisë Rajonale, ka zhvilluar një aksion inspektimi në 21 auto parkingje të qytetit, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Aksioni kishte për qëllim parandalimin dhe hetimin e veprës penale “Shmangie nga tatimi”. Gjatë kontrollit, u evidentuan një sërë shkeljesh, përfshirë: moslëshimin e kuponëve fiskal në të gjitha parkingjet e inspektuara, 9 punëtorë të paregjistruar, mungesë arkash fiskale në 5 parkingje, si dhe zbulimin e 2 bizneseve të paregjistruara dhe 2 bizneseve pa kontrata qiraje.
ATK-ja do të ndërmarrë veprimet procedurale për secilin rast, ndërsa Policia e Kosovës do të vazhdojë procedurat ligjore për veprën penale të shmangies nga tatimi.










