Kushtetuesja ndëshkon Deharin, urdhëron zgjedhjen e kryeparlamentarit me votim të hapur – masa e përkohshme për Kuvendin mbetet në fuqi deri te publikimi i vendimit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka shkelur Kushtetutën duke mos zbatuar aktgjykimin paraprak të 26 qershorit 2025. Në vendimin e ri të 8 gushtit, Gjykata urdhëroi rikthimin në rendin e ditës për zgjedhjen e kryeparlamentarit, duke sqaruar se procesi duhet të bëhet vetëm përmes votimit të hapur, dhe se një kandidat mund të propozohet maksimumi tri herë.
Derisa aktgjykimi të bëhet fuqiplotë, masa e përkohshme që pezullon aktivitetet e Kuvendit, e vendosur më 24 korrik, mbetet në fuqi. Vendimi do të hyjë në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare dhe njoftimit të palëve.
Ky aktgjykim ka nxitur reagime të ashpra nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka kritikuar ashpër Kushtetuesen, duke e konsideruar vendimin si ndërhyrje në procesin parlamentar.











