Policia arreston dy persona në Zveçan për vjedhje të pyllit
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Vjedhje e pyllit” në komunën e Zveçanit. Rasti është raportuar më 07 gusht 2025, rreth orës 18:20, në Stacionin Policor të Zveçanit.
Sipas njoftimit, njësitë policore kanë reaguar menjëherë pas marrjes së informatës dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë identifikuar dy persona që ndodheshin me traktor dhe rimorkio të ngarkuar me dru.
Të dyshuarit, E.B. (34 vjeç) dhe S.B. (42 vjeç), janë arrestuar dhe janë intervistuar nga hetuesit policorë. Pas procedurave të parapara ligjore, me urdhër të prokurorit të shtetit, ata janë liruar në procedurë të rregullt. Ndaj tyre është iniciuar rast për veprën penale “Vjedhje e pyllit”.
Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë me përkushtim në parandalimin dhe trajtimin e veprave penale, në funksion të ruajtjes së rendit, sigurisë publike dhe mbrojtjes së mjedisit. Po ashtu, qytetarët janë ftuar të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshuar përmes numrit 192 apo aplikacionit “Lajmëro Policinë”.











