#Lajme

Presidentja Osmani takon përfaqësuesen e SHBA-së në Kosovë, diskutojnë për ngërçin politik dhe bashkëpunimin strategjik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka biseduar për zhvillimet e fundit politike dhe hapat e ardhshëm për tejkalimin e situatës.

Në takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, duke theksuar fjalët inkurajuese të presidentit Donald Trump për partneritetin me Kosovën, të shprehura në letrën që ajo pranoi ditë më parë.

Ajo rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur për të punuar ngushtë me presidentin Trump dhe institucionet amerikane, me qëllim thellimin e aleancës strategjike dhe avancimin e objektivave të përbashkëta.

Presidentja Osmani gjithashtu vlerësoi lart lajmin e dhënë javën e kaluar nga Zëvendëssekretari amerikan, Christopher Landau, për vazhdimin e Kompaktit të MCC-së në Kosovë – një projekt që pritet të ketë ndikim të madh në zhvillimin afatgjatë të sektorit të energjisë dhe në integrimin digjital të vendit.

Gjatë takimit u diskutua edhe për procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe pritshmëritë për hapat e radhës në tejkalimin e ngërçit politik. Palët u pajtuan për rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në fusha me interes të përbashkët, me qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.