Në pritje të aktgjykimit të Kushtetueses, sot përfundon masa e përkohshme për konstituimin e Kuvendit
Sot në mesnatë përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, e cila ndaloi deputetët e legjislaturës së nëntë të ndërmarrin veprime për konstituimin e Kuvendit. Masa u vendos pas tejkalimit të afatit 30-ditor të caktuar nga aktgjykimi i 26 qershorit.
Gjykata pritet të publikojë sot një aktgjykim të ri, i cili do të jetë vendimtar për hapat e mëtejmë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se partia e tij do ta respektojë vendimin, pavarësisht përmbajtjes së tij.
Kosova ndodhet në krizë institucionale që nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Deri tani janë bërë 54 përpjekje të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit. Vetëvendosje, megjithëse partia fituese, nuk ka siguruar shumicën për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.
Ndërkohë, Presidentja Vjosa Osmani ka tërhequr një kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për shkak të caktimit të gjyqtarit Radomir Llaban si raportues. Ajo e cilëson Llabanin rrezik për sigurinë kombëtare, duke u bazuar në informacione nga institucionet e sigurisë.
Llaban është emëruar gjyqtar në vitin 2018, megjithëse më parë ishte dënuar në Serbi për marrje ryshfeti. Osmani ka bërë thirrje që deputetët të kërkojnë sqarim nga Kushtetuesja, me shpresën që Llaban të mos përfshihet në vendimmarrje.











