#Lajme

Rrustemi: Kushtetuesja duhet ta autorizojë Presidenten për shpallje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se pas përfundimit të masës së përkohshme për seancën konstituive më 8 gusht, Gjykata Kushtetuese duhet ta autorizojë Presidenten e Kosovës që të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sipas Rrustemit, dështimi i deputetëve për ta konstituuar Kuvendin përbën dështim në përmbushjen e mandatit të tyre, andaj ai vlerëson se mandati duhet t’i kthehet qytetarëve përmes zgjedhjeve.

“Gjykata duhet të konstatojë dështimin e deputetëve për ta funksionalizuar mandatin dhe të autorizojë Presidenten që të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme, bazuar në nenin 84 apo 82 të Kushtetutës,” ka thënë Rrustemi.

Ai shtoi se LVV do ta respektojë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese. Kjo deklaratë vjen pas vendimit të Presidentes Osmani për tërheqjen e kërkesës së saj në Kushtetuese, për shkak të caktimit të gjyqtarit Radomir Laban si raportues të lëndës.