Kurti: Nga “truri që ikën” te “zemra që nuk harron” – mirëseardhje për diasporën
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përshëndetur ardhjen e mërgatës në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e tyre për vendin. Në një postim në Facebook, ai tha se Kosova nuk flet më për “trurin që ikën”, por për “zemrën që nuk harron”.
Kurti theksoi se bashkatdhetarët nuk janë vetëm mysafirë që sjellin mallin për vendlindjen, por edhe partnerë të zhvillimit dhe bashkëkrijues të së ardhmes. Ai nënvizoi se pavarësisht largësisë fizike, mërgimtarët mbeten të lidhur fort me atdheun.
“Secili mund të jetë përkohësisht jashtë atdheut, por gjithsecili është përjetësisht brenda kombit”, shkroi Kurti, duke shtuar se Kosova është me fat që ka një diasporë të tillë.











