#Lajme

Presidentja e Maqedonisë së Veriut: Të turpëruar nga thirrjet fashiste ndaj shqiptarëve në Kumanovë

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka reaguar pas thirrjeve të urrejtjes ndaj shqiptarëve që u dëgjuan gjatë ndeshjes së basketbollit Maqedoni–Rumani në Kumanovë, duke i cilësuar ato si të turpshme dhe fashiste.

Në një reagim në Facebook, ajo tha se “disa tifozë të papërgjegjshëm qëlluan me plumba urrejtjeje ndaj bashkëqytetarëve shqiptarë”, duke e quajtur incidentin një goditje për të gjithë shoqërinë. Presidentja shtoi se Maqedonia nuk duhet të lejojë që arenat sportive të shndërrohen në “arena gladiatorësh”.

Sipas saj, mënyra si brohoritet mësohet fillimisht në shtëpi e pastaj në shkolla, ndërsa shteti duhet t’i kundërvihet gjuhës së urrejtjes dhe të edukojë për sportin si kënaqësi. Ajo tha se vendi ka nevojë për “një alfabet të brohoritjes”.

Në ndeshje u dëgjuan parulla si “Maqedoni e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, slogane të lidhura me retorikën naziste. Këto thirrje u bënë edhe në prani të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Ngjarja ka nxitur reagime në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa Prokuroria Themelore në Kumanovë ka nisur hetime për thirrje me gjuhë urrejtjeje.