Të paktën 33 palestinezë të vrarë nga zjarri izraelit ndërsa kërkonin ndihma ushqimore në Gaza
Të paktën 33 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite në Rripin e Gazës, ndërsa po përpiqeshin të siguronin ndihma ushqimore, kanë raportuar spitalet lokale.
Sipas dëshmitarëve, turma të uritura u përballën me breshëri plumbash teksa i afroheshin pikave të shpërndarjes së ndihmave. Dy spitale në jug dhe në qendër të Gazës raportuan se kanë pranuar trupat e viktimave përgjatë rrugëve që të çojnë në këto pika ndihme, përfshirë 11 të vrarë në zonën Teina pranë Khan Younis.
Ndërkohë, Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe njoftoi se njëri nga punonjësit e saj humbi jetën pasi forcat izraelite granatuan zyrën e tyre.
Tre dëshmitarë palestinezë i thanë agjencisë Associated Press se panë ushtarë izraelitë duke hapur zjarr përgjatë rrugëve që ndodhen në zona ushtarake. Njëri prej tyre, Yousef Abed, tha se ishte vënë nën zjarr të pakontrolluar dhe kishte parë të paktën tre persona të plagosur rëndë.
“Nuk munda t’i ndihmoja nga të shtënat”, u shpreh ai.











