Mbyllet përkohësisht një klinikë private në Mitrovicë të Veriut, zbulohen produkte mjekësore të skaduara dhe parregullsi tjera
Një klinikë private me licencë në Mitrovicë të Veriut është mbyllur përkohësisht pas një inspektimi të realizuar nga autoritetet lokale dhe qendrore.
Komuna e Mitrovicës së Veriut njoftoi më 4 gusht 2025 se gjatë kontrollit të kryer nga Drejtoria e Inspektoratit Komunal, në bashkëpunim me Inspektoratin Sanitar të Ministrisë së Shëndetësisë, janë gjetur dhe larguar afër 30 produkte mjekësore me afat të skaduar.
Përveç kësaj, janë konstatuar edhe parregullsi në sistemin e ventilimit dhe mungesë e dokumentacionit të noterizuar, çka përbën shkelje të standardeve ligjore dhe profesionale në fushën e shëndetësisë.
Komuna njoftoi se të martën në vendngjarje do të dalin edhe Inspektorati Farmaceutik dhe ai Shëndetësor për të kryer asgjësimin e produkteve të dyshimta dhe për të vazhduar procedurat e mëtejshme.
Sipas njoftimit zyrtar, pritet ndërmarrja e masave financiare dhe shqyrtimi i pezullimit të licencës së klinikës, derisa të përmirësohen mangësitë e identifikuara, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe cilësisë për pacientët.











