Aksion i IPK-së dhe Prokurorisë në Prizren – arrestohen katër persona, përfshirë një kolonel të Policisë
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ka realizuar një aksion të koordinuar që ka përfunduar me bastisjen e katër lokacioneve dhe arrestimin e katër personave të dyshuar.
Në mesin e të arrestuarve ndodhet edhe një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës me gradën kolonel. Sipas IPK-së, ndaj tyre ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi, të cilat janë të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Ky aksion është rezultat i një hetimi disa mujor të zhvilluar nga hetuesit e IPK-së në bashkëpunim me Prokurorinë në Prizren, me qëllim të luftimit të krimit dhe sigurimit të llogaridhënies institucionale.
Hetimet në terren janë duke vazhduar, ndërsa si pjesë e procedurës administrative, IPK ka rekomanduar suspendimin e kolonelit policor.
Inspektorati Policor ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përkushtimin për të luftuar çdo formë të krimit, përfshirë atë që mund të kryhet nga zyrtarë publik.











