#Lajme

Arianit Koci: Rritja ekonomike në Kosovë është vetëm në letra – qytetarët nuk e ndjejnë në jetën e përditshme

Avokati Arianit Koci ka kritikuar ashpër mënyrën se si paraqitet rritja ekonomike në Kosovë, duke e quajtur atë një iluzion që nuk përkthehet në përmirësim të jetesës së qytetarëve.

Në një analizë të publikuar në Facebook me titullin “Manuali i mbijetesës në Kosovë – Pjesa I”, Koci thekson se rritja që raportohet çdo vit është më shumë statistikore sesa reale, pasi qytetarët nuk e përjetojnë në praktikë.

Sipas tij, ekonomia e Kosovës është e ndërtuar mbi konsum privat, i financuar kryesisht nga remitencat dhe kreditë konsumatore, dhe jo nga prodhimi apo eksportet. Vetëm gjatë vitit 2024, kreditë për konsum u rritën me 22%.

Koci potencon se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë në Kosovë është 6,494 euro – vetëm 16% e mesatares së Bashkimit Evropian. “Jetojmë 5.5 herë më dobët se një qytetar mesatar i BE-së”, shkruan ai, duke shtuar se edhe krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është në fund të listës.

Ai thekson se rritja ekonomike që po prezantohet është më shumë rezultat i statistikave të krahasuara me vitet e dobëta si 2020, se sa ndonjë progres real në ekonomi. Problemet strukturore si mungesa e eksporteve konkurruese, produktiviteti i ulët dhe mospërputhja e aftësive në tregun e punës mbeten të pandryshuara.

Në përfundim, Koci thotë se ekonomia po mbahet gjallë nga diaspora dhe huamarrja, jo nga zhvillimi i qëndrueshëm, dhe paralajmëron se nëse nuk ndryshohet kursi, Kosova do të vazhdojë të ketë “numra për t’u mburrur – dhe qytetarë që mezi i lidhin muajt”.